Projektligji për Qeverisje lokale, blindon Asociacionin e komunave serbe

.
Visar YmeriKryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Visar Ymeri, në një prononcim për Telegrafin ka deklaruar se VV ka qenë kategorikisht kundër votimit të ndryshim-plotësimit të Projektligjit për vetëqeverisjen lokale, që u miratua dje në Kuvendin e Kosovës.
Sipas tij, përmes miratimit të këtij projektligji po tentohet që të themelohet mekanizmi që blindon e pamundëson zhbërjen e asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Ky projektligj e mbivendosë asociacionin e komunave me shumicë serbe mbi cilindo institucion qendror të Kosovës”, ka thënë ai.
Deputeti i VV-së shprehet se ky asociacion për të cilin Thaçi është dakorduar në Bruksel me kryeministrin serb Ivica Dacic, i ka përmasat e një strukture institucionale shumë më të fuqishme se vet Kosova, ndërsa thekson se neni i propozuar në këtë ligj (arsyeja e vetme pse po kërkohet ndryshimi i ligjit nga Qeveria) e kodifikon mekanizmin për shpërbërjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.
“Nuk lejon mundësi tjetër të shpërbërjes në cilëndo rrethanë. Ky ndryshim ligji rrjedh drejtpërdrejt nga marrëveshja në mes Thaçit dhe Dacicit, ratifikimin e së cilës e kemi kundërshtuar aktivisht në Kuvend, përmes protestës në rrugë dhe përmes kontestimit të kushtetutshmërinë së saj në Gjykatën Kushtetuese të Republikës së Kosovës”, ka shtuar ai.
Ymeri tha se VV-ja në vazhdimësi do t’i kundërshtojnë të gjitha ligjet që rrjedhin nga marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve në mes Prishtinës dhe Beogradit, sepse sipas tij, kjo marrëveshje është e dëmshme dhe e rrezikshme.
“Një mundësi të tillë kundërshtimi e patëm përmes prishjes së kuorumit në Kuvendin e Republikës së Kosovës. Prandaj, edhe nuk votuam fillimisht për ligjin dhe pastaj e lëshuam tërësisht sallën e Kuvendit”, tha Ymeri.
Ndryshe, dje me 53 vota për, 1 kundër dhe 3 abstenime, deputetët kanë miratuar Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Vetëqeverisjen Lokale.

Tuna ft. Cozman - Fenix